Saturday, April 12, 2008

STUDJUESI MERAKLI AXHEM ÇAPO

Unë kam një mik dhe krenohem me të. Besoj se e njihni edhe ju. Patjetër që e njihni. E kush nuk e njeh tanimë Axhemin! Axhem Çapon, pra! Atë, pra, akademikun flokë bardhë dhe që i ka kaluar tetëdhjet e ca vjeçët dhe ecën e vrapon gjithandej si djalë i ri e i pa lodhur.
Axhemi është publicist që nga viti 1945, studjues, shkrimtar e poet, është pra një erudit i mirëpërgatitur. Po, mbi të gjitha, është dashamirësi i gjithë dukatasve në veçanti, si dhe i labëve e çamëve. Po si ka rrjedhur jeta e këtij njeriu të palodhur?

Axhemi ka lindur në fshatin Dukat të Vlorës, është i biri Adixhesë dhe i Asllan Çapos. Ai ka lindur më datën 10 janar të vitit 1924, në rrëzë të Pezulit, ku ishte një ndërtesë e madhe që shërbente për oficerët italianë në vitin 1920, dyqind metër në perëndim të Qafështufit (Gropa me drizë). Shkollën fillore Axhemi e kreu në Dukat. Familja e tij ndërkohë merrej me bujqësi dhe blektori dhe Axhemi i ndihmonte.

Në vitin 1944 Axhemi u rendit vullnetarisht në radhët e Brigadës XII S. Menjëherë pas luftës filloi të punonte në administratën e Ministrisë së Punëve Brendshme, në Tiranë, Burrel, Shkodër, në kampin e familjeve të internuara në Tepelenë, në Savër të Lushnjës, po me familjarët e internuar, në mvarësi të Degës Punëve të Brendshme të Lushnjës, deri sa e nxorën në lirim, për arsye politike në muajin maj të vitit 1954.

Përveç shkollës së mesme që e ka kryer në Tiranë, Axhemi është arsimuar edhe në shkolla të tjera. Ka bërë dy vjet shkollë gjuhë ruse, pa shkëputje nga puna dhe e ka mbaruar me nota të mira. Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, bashkë me disa intelektualë të kryeqytetit, ka ndjekur rregullisht një kurs për gjuhën franceze që e drejtonte profesori dhe shkrimtari i respektuar Nonda Bulka. Gjithashtu Axhemi ka vazhduar edhe dy vjet shkollë profesionale, teori dhe praktikë të drejtuar nga inxhinjerë rusë për teknik markshejder dhe topografi për miniera e gjeologji.

Më vonë pas specializimit dy vjeçar ai filloi punën si teknik markshejder në Ekspeditën Gjeologjike të Spaçit, në Ekspeditën Gjeologjike të Qafbarit, në Tuç, Buqizë e shumë vepra të tjera.

I nxitur nga takimet me njerëzit e punës nëpër Shqipëri, Axhemi filloi të shkruajë artikuj, më shpesh nëpër gazeta e revista. Shkruante portrete, reportazhe, skica, tregime të shkurtëra e poezi në shtypin e asaj kohe.

Në vitin 1995 Axhem Çapo shkoi emigrant, bashkë me gruan, në Francë dhe u vendos në qytetin e Nantes, veriperëndim të Francës, ku fitoi dhe të drejtën e rezidencës të përzgjatur me dhjetë vjeçarë.

Tani, megjithëse në moshë të madhe, vazhdon të merret me studime e krijime të tjera, e mbi të gjitha, ai është i pari njeri në vëndin tonë që është quajtur njeriu Enciklopedik i Dukatit, i cili dallohet nga gjithë moshatarë e tij, për passion, vullnet, durim, këmbëngulje dhe sakrificë, pasi punon çdo natë nga ora 24 deri në 5 të mëngjezit. Shikon shumë pak televizor dhe lexon me moderacion shtypin e ditës, sepse i humbasin shumë kohë nga puna e tij.

Shkrimtari Namik Selmani e ka quajtur Axhemin "Rilindas i vonuar". Dhe ky cilësim nisur pikërisht nga puna e madhe e këtij njeriu. Axhemi me punë i sfidon gjithë krijuesit, veçanërisht bashkëmoshatarët. Sfida që u bën Axhemi bashkëmoshatrëve është e pazakontë. Ata vrasin kohën nëpër kafene me domino e letra, kurse Axjemi mbyllet në shtëpi përballë kompjuterit dhe merret gjatë me krijimtarinë letrare dhe studimet e tij.

Axhemi është jo vetëm një shkrimtar tanimë i njohur i Labërisë, por edhe një dashamirës i vjetër i Çamërisë, bashkëpunëtor i revistës "Krahu i shqiponjës". Ka shkruar shumë artikuj rreth problemit të Çamërisë dhe atij Kombëtar Shqiptar. Është Antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë prej shumë vitesh më parë.

Axhemi ka botuar rreth shtatë libra dhe ka disa të tjera në shtyp. Ai thotë se ka edhe tre kater libra të tjera të gatshme për botim siç mund të themi librin me shumë faqe "Letërsia dhe publicistika gjat viteve", "Peripecitë e jetës" dhe një mbyllje, sipas tij, me një përkthim të materialeve në gjuhën frënge.

Ja disa prej tyre:

"Dukati ynë", publiçistikë e vitit 1998, me 550 faqe.
"I mërguar nga Dukati", libër me poezi, viti 2001, 216 faqe.
"Një natë pa hënë", tregime, viti 2001, 128 faqe.
"Enciklopedia e Dukatit", viti 2005, 1100 faqe.
"Debatoj me ata që duan të zhvlerësojnë Enciklopedinë e Dukatit.
"Njohuri Enciklopedike nga misteret e botës", viti 2007, 740 faqe.
"Njohuri Enciklopedike nga misteret e botës", vëllim i dytë, me rreth 800 faqe, etj.

Axhem Çapo është jo vetëm intelektual erudit që meriton të bëjë pjesë në elitat intelektuale shqiptare, por edhe një shok e një mik i mirë për kolegët e tij. Është i gjendur dhe i papërtuar. Sa herë kanë nevojë miqtë e tij, lë çdo punë dhe u përkushtohet atyre dhe i ndihmon mesa mundet për t’u zgjidhur hallet. Është për t’u habitur prej faktit se ku e gjen gjithë atë fuqi ky njeri që nuk di të ankohet kurrë për veten, megjithëse është tetëdhjetë e katër vjeç. Po të pyesësh individë të tjerë në këtë moshë, ankohen prej lloj-lloj sëmundjesh e pafuqish, aq sa mezi kanë dëshirë për të lëvizur nga vendi. Më shumë e kalojnë kohën shtrirë, duke u ankuar. Axhemi, përkundrazi, sikur e gjen burimin e fuqisë te puna. Njerëzit që punojnë i do edhe Zoti dhe siç duket u jep fuqi që të realizojnë tërë ëndrrat dhe dëshirat, tërë objektivat që i kanë vënë vetes. Pra, Axhemi është njeri Zotit!

Shefki Hysa
Kryeredaktor i revistës
"Krahu i shqiponjës"

Wednesday, April 9, 2008

ÇAMËRI, MEDET MORE!

Elegji labe

Ngriuni çamër në këmbë,
Lini lotët, mbroni vëndë,
Çamëri, medet more!…

Se greku u shtypi rëndë,
Të gjithëve u ka përzënë,
Djerr’ tokën ua ka lënë…
Çamëri, medet more!…

Ku i kini babë e nënë,
Gjyshërit që kanë qënë,
Varret kujt ia kini lënë
Çamëri, medet more!…

Lule mbi varre s`janë vënë,
Grekët i kanë bërë lëmë,
Asnjë shënjë s`kanë lënë,
Baltë e pluhur i kanë bënë,
Çamëri, medet more!…

U morën mallin e gjënë,
Shtëpitë gërmadhë lënë,
O djem, ju pret toka nënë,
Çamëri, medet more!…

Kaq vite të përzënë,
Malli u ka djegur rëndë,
S`u ngritët njëherë në këmbë,
Si s`u bëtë për të qënë,
Çamëri, medet more!...

Shkuan shumë vite e vanë,
Që vëndin ua kan’ marrë,
Si s`u dogjët për vatanë,
Si e mbani brënda xhanë
Për nëna e baballarë,
Të varrosur në një arë,
Që kan’ mbetur të pa qarë,
Çamëri, medet more!…

Sa bij e bija të vrarë,
S`dihet ku e kanë varrë,
Të tjer’ në botë të shpërndarë
Kanë mbetur të harruar,
Dhe gjithçka është rrafshuar,
Çamëri, medet more!…

Pse i merrni punët zvarrë,
Ka ardhë koha për të dalë,
Jini a s`jini atdhetarë,
Çamëri, medet more!…

Kini hakë për të marrë
Kundër hasmëve barbarë,
Çamëri, medet more!…

Amanet gjyshërit e parë,
Gjaku i tyre ngrirë e tharë,
Ngjollë në gur i pa larë,
Mbetur që nga luft’ e parë,
Çamëri, medet more!…

Dëgjoni fjalët e mia,
Mos prisni nga qeveria,
Se s`ka më bij Shqipëria,
Mjafton t`u rrojë Partia,
Thrrasin rroftë miqësia,
Në djall të vejë Çamëria,
Çamëri, medet more!…

Rroftë e qoftë miqësia,
Se punët i ujdis asfalia,
Lumë derdhet dhrahmia,
Çamëri, medet more!…

Ngrihen disa fundërina,
Brohorasin "Rroftë Athina!"
Poshtë Çamëria e Janina,
Le t’i marrë rrukullima,
Çamëri, medet more!…

Evropianët venë e vinë,
Në Tiranë e në Athinë,
S’duan fare t`ia dinë,
S`e lexojnë dot historinë,
Se na prishkan miqësinë,
Çamëri, medet more!...

Çamër, mirë duhet ta dini,
Mbi dafina të mos flini,
Se s`ta fal njeri lirinë,
Mos ki shpresë qeverinë,
Se Tirana me Athinë,
Kanë lidhur fort miqësinë,
E kanë falur Çamërinë,
Me kontrata prapa shpine
Çamëri, medet more!…

Çamëri, zgjou, ku je
Mblidhi djemtë ku i ke
Të gjëmojnë si rrufe,
Çamëri, lumja more!…

Evropa ta ketë të qartë,
Se trualli çam në hartë,
Është me shekuj tok’ shqiptare,
I huaji aty s’ka punë fare,
Çamëri, lumja more!…

U përgjak kjo toka çame
U faros, po s’dha shpirt fare,
Shkrepëtin si vënd me stralle
Dhe në gjëm’ di të hedh valle,
Valle të rëndë si trojet labe
Çamëri, lumja more!…

Osman Taka trim me fletë,
(Si trembëdhjetë Bilbilenjtë
Që vanë në litarë vetë
Me këng’ në goj’ e me gërnetë),
Para litarit valles ia mori
Sa u drodh dhe vet Stambolli,
Sulltan pashai e Anadolli,
Çamëri, lumja more!…

Osman Takat sot ku i ke,
Çamëri, lumja more?!…

Axhem ÇAPO

Francë, Nantes 2003

Axhem Çapo, në studio




I palodhuri Axhem Çapo

E kush nuk e njeh tanimë Axhemin! Atë, pra, akademikun flokëbardhë që i ka kaluar tetëdhjetë e ca vjeçët dhe vrapon gjithandej si djalë i ri i palodhur. Axhemi është studiues, shkrimtar dhe poet. Po mbi të gjitha është miku i dukatasve. Ai ka lindur në fshatin Dukat të Vlorës më 10 janar të vitit 1924. Shkollën fillore e krau në Dukat, shtatë-vjeçaren në Shkodër dhe të mesmen në Tiranë.

Në vitin 1944 Axhemi doli partizan dhe menjëherë pas luftës filloi të punonte në administratën e Ministrisë së Brendshme, në Burrel e në Shkodër, deri sa u lirua më 1954.

Më vonë, pas një specializimi, filloi punë si teknik markshedër e topograf në ekspedita të ndryshme gjeologjike.

I nxitur nga takimet me njerëzit e punës nëpër Shqipëri Axhemi filloi të shkruante artikuj, portrete, reportazhe, tregime të shkurtra e poezi në shtypin e kohës.

Pas vitit 1990 shkoi si emigrant në Francë dhe u vendos në Nantë bashkë me gruan, ku fitoi edhe të drejtën si rezident.

Tani, megjithëse në moshë të madhe, vazhdon të merret me studime në fushën e kurioziteteve dhe enciklopedive sa në Francë dhe në Shqipëri.

Axhemi është jo vetëm miku i labëve, por edhe i çamëve. Është bashkëpunëtor i revistës "Krahu i shqiponjës". Ka shkruar shumë artikuj rreth problemit çam dhe atij kombëtar shqiptar. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Axhemi ka botuar rreth shtatë libra dhe ka edhe disa të tjera në shtyp.

Ja disa prej tyre:

"Dukati ynë", publicistikë, 1998
"I mërguar nga Dukati", poezi, 2001
"Një natë pa hënë", tregime, 2001
"Enciklopedi e Dukatit", 2005
"Debatoj me ata që duan të zhvlerësojnë Enciklopedinë e Dukatit", 2006
"Njohuri enciklopedike nga Misteret e Botës" I, 2006
"Njohuri enciklopedike nga Misteret e Botës" II, 2007, etj,.etj.

Axhem Çapo vazhdon të shkruajë e i palodhur sikur do të jetojë njëmijë e një vjet. I urojmë jetë sa më të gjatë për vepra edhe më të bukura.

Kostaq Myrtaj

Axhem Çapo