Wednesday, April 9, 2008

ÇAMËRI, MEDET MORE!

Elegji labe

Ngriuni çamër në këmbë,
Lini lotët, mbroni vëndë,
Çamëri, medet more!…

Se greku u shtypi rëndë,
Të gjithëve u ka përzënë,
Djerr’ tokën ua ka lënë…
Çamëri, medet more!…

Ku i kini babë e nënë,
Gjyshërit që kanë qënë,
Varret kujt ia kini lënë
Çamëri, medet more!…

Lule mbi varre s`janë vënë,
Grekët i kanë bërë lëmë,
Asnjë shënjë s`kanë lënë,
Baltë e pluhur i kanë bënë,
Çamëri, medet more!…

U morën mallin e gjënë,
Shtëpitë gërmadhë lënë,
O djem, ju pret toka nënë,
Çamëri, medet more!…

Kaq vite të përzënë,
Malli u ka djegur rëndë,
S`u ngritët njëherë në këmbë,
Si s`u bëtë për të qënë,
Çamëri, medet more!...

Shkuan shumë vite e vanë,
Që vëndin ua kan’ marrë,
Si s`u dogjët për vatanë,
Si e mbani brënda xhanë
Për nëna e baballarë,
Të varrosur në një arë,
Që kan’ mbetur të pa qarë,
Çamëri, medet more!…

Sa bij e bija të vrarë,
S`dihet ku e kanë varrë,
Të tjer’ në botë të shpërndarë
Kanë mbetur të harruar,
Dhe gjithçka është rrafshuar,
Çamëri, medet more!…

Pse i merrni punët zvarrë,
Ka ardhë koha për të dalë,
Jini a s`jini atdhetarë,
Çamëri, medet more!…

Kini hakë për të marrë
Kundër hasmëve barbarë,
Çamëri, medet more!…

Amanet gjyshërit e parë,
Gjaku i tyre ngrirë e tharë,
Ngjollë në gur i pa larë,
Mbetur që nga luft’ e parë,
Çamëri, medet more!…

Dëgjoni fjalët e mia,
Mos prisni nga qeveria,
Se s`ka më bij Shqipëria,
Mjafton t`u rrojë Partia,
Thrrasin rroftë miqësia,
Në djall të vejë Çamëria,
Çamëri, medet more!…

Rroftë e qoftë miqësia,
Se punët i ujdis asfalia,
Lumë derdhet dhrahmia,
Çamëri, medet more!…

Ngrihen disa fundërina,
Brohorasin "Rroftë Athina!"
Poshtë Çamëria e Janina,
Le t’i marrë rrukullima,
Çamëri, medet more!…

Evropianët venë e vinë,
Në Tiranë e në Athinë,
S’duan fare t`ia dinë,
S`e lexojnë dot historinë,
Se na prishkan miqësinë,
Çamëri, medet more!...

Çamër, mirë duhet ta dini,
Mbi dafina të mos flini,
Se s`ta fal njeri lirinë,
Mos ki shpresë qeverinë,
Se Tirana me Athinë,
Kanë lidhur fort miqësinë,
E kanë falur Çamërinë,
Me kontrata prapa shpine
Çamëri, medet more!…

Çamëri, zgjou, ku je
Mblidhi djemtë ku i ke
Të gjëmojnë si rrufe,
Çamëri, lumja more!…

Evropa ta ketë të qartë,
Se trualli çam në hartë,
Është me shekuj tok’ shqiptare,
I huaji aty s’ka punë fare,
Çamëri, lumja more!…

U përgjak kjo toka çame
U faros, po s’dha shpirt fare,
Shkrepëtin si vënd me stralle
Dhe në gjëm’ di të hedh valle,
Valle të rëndë si trojet labe
Çamëri, lumja more!…

Osman Taka trim me fletë,
(Si trembëdhjetë Bilbilenjtë
Që vanë në litarë vetë
Me këng’ në goj’ e me gërnetë),
Para litarit valles ia mori
Sa u drodh dhe vet Stambolli,
Sulltan pashai e Anadolli,
Çamëri, lumja more!…

Osman Takat sot ku i ke,
Çamëri, lumja more?!…

Axhem ÇAPO

Francë, Nantes 2003

No comments: