Wednesday, April 9, 2008

I palodhuri Axhem Çapo

E kush nuk e njeh tanimë Axhemin! Atë, pra, akademikun flokëbardhë që i ka kaluar tetëdhjetë e ca vjeçët dhe vrapon gjithandej si djalë i ri i palodhur. Axhemi është studiues, shkrimtar dhe poet. Po mbi të gjitha është miku i dukatasve. Ai ka lindur në fshatin Dukat të Vlorës më 10 janar të vitit 1924. Shkollën fillore e krau në Dukat, shtatë-vjeçaren në Shkodër dhe të mesmen në Tiranë.

Në vitin 1944 Axhemi doli partizan dhe menjëherë pas luftës filloi të punonte në administratën e Ministrisë së Brendshme, në Burrel e në Shkodër, deri sa u lirua më 1954.

Më vonë, pas një specializimi, filloi punë si teknik markshedër e topograf në ekspedita të ndryshme gjeologjike.

I nxitur nga takimet me njerëzit e punës nëpër Shqipëri Axhemi filloi të shkruante artikuj, portrete, reportazhe, tregime të shkurtra e poezi në shtypin e kohës.

Pas vitit 1990 shkoi si emigrant në Francë dhe u vendos në Nantë bashkë me gruan, ku fitoi edhe të drejtën si rezident.

Tani, megjithëse në moshë të madhe, vazhdon të merret me studime në fushën e kurioziteteve dhe enciklopedive sa në Francë dhe në Shqipëri.

Axhemi është jo vetëm miku i labëve, por edhe i çamëve. Është bashkëpunëtor i revistës "Krahu i shqiponjës". Ka shkruar shumë artikuj rreth problemit çam dhe atij kombëtar shqiptar. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Axhemi ka botuar rreth shtatë libra dhe ka edhe disa të tjera në shtyp.

Ja disa prej tyre:

"Dukati ynë", publicistikë, 1998
"I mërguar nga Dukati", poezi, 2001
"Një natë pa hënë", tregime, 2001
"Enciklopedi e Dukatit", 2005
"Debatoj me ata që duan të zhvlerësojnë Enciklopedinë e Dukatit", 2006
"Njohuri enciklopedike nga Misteret e Botës" I, 2006
"Njohuri enciklopedike nga Misteret e Botës" II, 2007, etj,.etj.

Axhem Çapo vazhdon të shkruajë e i palodhur sikur do të jetojë njëmijë e një vjet. I urojmë jetë sa më të gjatë për vepra edhe më të bukura.

Kostaq Myrtaj

No comments: